R.I.P. matematika: "Formula" qesharake e kursimit që po qarkullon në TikTok, nis me 1 euro në ditë - NACIONALE

R.I.P. matematika: "Formula" qesharake e kursimit që po qarkullon në TikTok, nis me 1 euro në ditë

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Sigurisht se në aplikacionin “TikTok” keni hasur në pamje e të dhëna qesharake, por zor se keni parë ndonjë huqje më të madhe, të paktën në fushën e matematikës.

Në llogarinë “Paqsor KS” në “TikTok”, e cila ka 10 mijë e 900 ndjekës, është publikuar një “formulë magjike” e kursimit të parave, edhe pse matematika e saj lë për të dëshiruar.

Postimi që shoqërohet me këngën e Ilir Shaqirit, “Një copë tokë për trupin tim”, është shikuar mbi 177 mijë herë.

“Formula” e kursimit, sipas postimit qesharak, është kjo:

Nëse kursen nga 1 euro në ditë, për shtatë ditë të javës grumbullon shtatë euro. Krejt në rregull – deri këtu.

Situata “eskalon” menjëherë në hapin e dytë. Autori e shumëzon 7-shen e kursyer për një javë me numrin 30 (numri i ditëve të muajit), duke pretenduar se për një muaj kursehen 210 euro. Sikur të ishte kështu, do të dilnim shpejt nga kriza!

Mizoria matematikore thellohet edhe më tej në hapin e tretë. Autori e shumëzon numrin e ditëve të vitit me 210 euro, që gjoja grumbullohen në muaj.

Sipas kësaj "përllogaritjeje", kursejmë 76 mijë e 650 euro në vit, por është një problem "i vogël" - veç nëse kursejmë nga 210 euro në ditë, jo nga një.

“Më falenderoni me von..” – na përkujton “gjeniu” që e ka “zbuluar” këtë formulë kursimi.

Lexues të nderuar, ky postim është përkujtim që të mos merrni seriozisht gjithçka që shihni, dëgjoni e lexoni në aplikacionin e famshëm, pa i vërtetuar faktet paraprakisht.

Lajme të ngjashme