Qeveria thotë se nuk e di pse gazetari gjerman e hoqi citatin e Kurtit
Vazhdon edhe më tutje të jetë një nga temat më të komentuara.
Bëhet fjalë për skandalin e intervistës së Kurtit në "Frankfurter Allgemeine Zeitung", intervistë kjo e cila nuk u publikua plotësisht.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në intervistën për gazetarin Michael Martens kishte shprehur fjalë kontradiktore në raport me ato që i kishte thënë në Kosovë.
Nuk ishte në pyetje propozimi franko-gjerman që e kishte çuar drejt arritjes së marrëveshjes për targa më 23 nëntor. Ishte ambasadori amerikan Jeff Hovenier.
“Kurti tha që ai e ka pranuar kompromisin për “krizën e targave” pasi ishte paralajmëruar nga ambasadori amerikan në Prishtinë që situata në veri të Kosovës “mund të përkeqësohej rëndë dhe pakthyeshëm”. Ambasadori amerikan “kishte më shumë informacione se unë” mbi situatën në veri, tha Kurti, duke përmendur “shqetësimet e sigurisë” pa dhënë detaje të mëtejshme.” – kishte shkruar më 26 nëntor z. Martens.

Por, asnjë nga këto fjalë nuk ishin në intervistën e publikuar nga FAZ gjatë mbrëmjes së kaluar. Nacionale shkroi sot se kjo pjesë e intervistës ishte hequr, dhe gazetari tashmë e ka pranuar një gjë të tillë por duke dhënë arsye qesharake.
Mes shumë cicërimesh në Twitter, Martens mes tjerash thotë që “ambasadorët amerikanë në momente të caktuara dinë më shumë mbi situatën e sigurisë në rajone të caktuara (në këtë rast për veriun e Kosovës) se sa një kryeministër.”
Në anën tjetër, nga Qeveria e Kosovës kanë pranuar faktin se intervista nuk është e botuar plotësisht.
“Kryeministri Kurti të shtunën ka dhënë një intervistë të gjatë për FAZ, ku ndër të tjerash tjerash ke theksuar se ambasadori amerikan në Kosovë, Hovenier, ka ndarë me të disa informacione shtesë të cilat nuk i kemi pasur më herët në dispozicion”, ka deklaruar Kryeziu për Reporterin.
Ndërkaq, i pyetur rreth asaj se pse u largua njëra pjesë e intervistës, Kryeziu u shpreh:
“I takon autorit dhe redaksisë së gazetës në fjalë për vendosur në fund se cilat pjesë nga intervista përdoren dhe cilat jo në versionin përfundimtar të intervistës”.
