Qeveria: Reciprocitetin nuk e diskutojmë në Bruksel
Kryeministri i vendit Albin Kurti, pritet të takohet me presidentin serb Aleksander Vuçiq më 18 gusht në Bruksel.
Shkak i përshpejtimit të takimit të tyre u bën, dy vendimet e fundit të qeverisë së Kosovës, ai për targa dhe për reciprocitet në dokumente.
Por sipas zëdhënësit të qeverisë, Përparim Kryeziu, as njëra e as tjetra nuk do të jenë pjesë e diskutimit, në mes kryeministrit Kurti e presidentit serb Vuçiq.
“Për agjendën e takimit do t’ju njoftojmë me kohë. Vendimet për targa dhe dokumente për hyrje-dalje janë vendime të qeverisë, që janë të parapara edhe në mrrëveshjet për të cilat palët janë dakorduar në të kaluarën, andaj ato nuk mund të jenë temë diskutimi e këtij takimi” ka thënë Kryeziu për KosovaPress.
Kujtojmë se një takim i nivelit më të lartë në mes Kosovës e Serbisë ka kohë që nuk është mbajtur.
Deklarimet e fundit të presidentit të Serbisë ishin se, sa të jetë Kurti në pushtet, ai nuk do të takohet me palën kosovare.