Qeveria britanike del me njoftim se do mbështesin ushtarakisht KFOR-in, madje “edhe me qindra trupa shtesë në rast nevoje”
Britania e Madhe do të vazhdojë të mbështesë misionin paqeruajtës të udhëhequr nga NATO në Kosovë për të paktën tre vjet të tjera, ka njoftuar qeveria britanike.
Forcat e Armatosura Britanike kanë qenë pjesë e Forcës së Kosovës të NATO-s (KFOR) që nga viti 1999, kur trupat ndërkombëtare hynë në Kosovë për të siguruar paqen dhe stabilitetin pas luftës së viteve ’90.
Zgjatja e mandatit, që do të vazhdojë të paktën deri në dhjetor 2028, përfshin një forcë rezervë prej qindra ushtarësh britanikë të gatshëm për t’u dislokuar në Kosovë në rast nevoje. Dislokimi i fundit i madh i trupave britanike ndodhi në vitin 2023, pas sulmit të dhunshëm kundër policisë në veriun e vendit.
Ky vendim, thuhet në deklaratën zyrtare, është në përputhje me qasjen “NATO e para” të përcaktuar në Rishikimin Strategjik të Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar dhe synon të forcojë sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
Njoftimi u bë publik në të njëjtën ditë që kryeministri britanik, Keir Starmer, po pret në Londër Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, ku po diskutohet bashkëpunimi rajonal dhe sfidat e migracionit të parregullt.
“Përkushtimi i Mbretërisë së Bashkuar ndaj paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor është i palëkundur,” tha kryeministri Starmer. “Duke zgjatur mbështetjen tonë për Forcën e Kosovës të NATO-s, po dëshmojmë rolin tonë si aleat udhëheqës brenda NATO-s dhe qëndrojmë pas vlerave tona të stabilitetit dhe demokracisë.
Bashkëpunimi i ngushtë me partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor është thelbësor, jo vetëm për stabilitetin rajonal, por edhe për sigurinë tonë këtu në shtëpi.”
Britania e Madhe ka qenë ndër vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, dhe mbetet një nga partnerët më të afërt të saj në fushën e sigurisë.
KFOR, mision ndërkombëtar i mbështetur nga më shumë se 30 shtete, u krijua pas fushatës ajrore 78-ditore të NATO-s në vitin 1999 kundër Republikës Federale të Jugosllavisë, për të parandaluar një katastrofë humanitare në Kosovë.
Në të njëjtën kohë, Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar po përgatitet të nisë një kurs të ri trajnimi për vendet e Ballkanit Perëndimor, që do të fillojë në fillim të vitit të ardhshëm. Programi do të ndihmojë në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të mbrojtjes dhe sigurisë, me fokus në mbrojtjen e jetëve civile dhe promovimin e rolit të grave në mbrojtje.
Në këtë trajnim do të ftohen të marrin pjesë Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
“Trupat tona kanë kryer qindra misione gjatë dekadave në mbështetje të KFOR-it dhe kjo zgjatje e angazhimit tonë do ta bëjë Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor më të sigurt,” deklaroi ministri britanik për Forcat e Armatosura, Al Carns.
“Paqeruajtja është një shtyllë thelbësore e përkushtimit tonë për të mbajtur Mbretërinë e Bashkuar të sigurt në vend dhe të fortë jashtë tij. Falënderoj qindra ushtarë britanikë që mbeten të gatshëm të veprojnë për të mbrojtur sigurinë e Britanisë dhe të Evropës.”
Forcat britanike kanë luajtur një rol të rëndësishëm në përmirësimin e kapaciteteve të inteligjencës, survejimit dhe zbulimit të KFOR-it, duke rritur ndjeshëm vetëdijen situatash të komandës së misionit dhe duke garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë.
Mbështetja financohet nga Fondi i Integruar i Sigurisë, një mekanizëm ndërdepartamental që trajton sfidat e përbashkëta të sigurisë për Mbretërinë e Bashkuar dhe aleatët e saj.
Aktualisht, në KFOR marrin pjesë trupa nga mbi 30 vende, përfshirë Italinë, Turqinë, Poloninë, Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe, që mbetet një ndër kontribuesit kryesorë të misionit.