Putini përgjigjet me ironi pas fyerjes nga Bideni: Reagim adekuat, i bie që unë kisha të drejtë
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të enjten e çmoi homologun amerikan, Joe Biden, që e quajti rusin “bir ku*ve i çmendur”, duke thënë me një buzëqeshje ironike se ky koment tregon se pse Kremlinit i duket që Bideni është president më i parapëlqyer i ShBA-së në të ardhmen se Donald Trumpi.
Kur u pyet nga një gazetar i televizionit rus për komentin “e vrazhdë” të Bidenit, buzëqeshi me sarkazëm dhe e kafshoi buzën para se të shikonte drejt tokës.
“Ne biseduam para një kohe jo të gjatë dhe ju më pyetët se kush do të ishte i parapëlqyeri si president i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara. Unë thashë se ne do të punonim me cilindo president, por supozoj se për ne, për Rusinë, Bideni është më i parapëlqyer” – tha Putini.
“Duke gjykuar nga ajo që porsa e ka thënë ai, unë kisha absolutisht të drejtë, sepse ky ishte një reagim adekuat ndaj asaj që kisha thënë unë. Pse? Sepse ai nuk mund të thotë: “Vladimir, ti je burrë i mirë. Më ke ndihmuar shumë” – shtoi presidenti rus.
“Ne kuptojmë se çfarë është duke ndodhur atje [në ShBA] në aspektin e politikës dhe ai reagim është absolutisht adekuat. Kjo do të thotë se unë kisha të drejtë. Ajo që e thashë unë ishte për audiencën tonë, në rend të parë, jo për amerikanët. Ju jeni gazetar rus mbi të gjitha dhe ju më pyetët se çfarë është më e mirë për ne. Pra, unë ju thashë juve atëherë dhe mund ta konfirmoj e ta përsëris atë tash: Bideni” – tha në fund kreu i Kremlinit.
Bideni po fliste për ndryshimet klimatike, kur tha: “Kur kemi një bir bus*tre të çmendur si Putini dhe të tjerë dhe ne gjithmonë duhet të brengosemi për konfliktin bërthamor, por rreziku ekzistencial ndaj njerëzimit është klima”, raporton gazeta “The Guardian”.
Presidenti amerikan në të kaluarën edhe persona të tjerë i ka quajtur “bir bus*tre”. Në janar të vitit 2022, ai ishte incizuar aksidentalisht duke e përdorur këtë shprehje për një reporter të televizionit “Fox News” për Shtëpinë e Bardhë./Nacionale/Nasuf Abdyli