Propozohet heqja e vizave për shtetasit e Kosovës që kanë pasaporta të Serbisë - NACIONALE

Propozohet heqja e vizave për shtetasit e Kosovës që kanë pasaporta të Serbisë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Komisioni Evropian ka propozuar heqjen e vizave edhe për bartësit e pasaportave të Republikës së Serbisë, të cilët banojnë në territorin e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë ka raportuar se për t’u përfshirë edhe bartësit e pasaportave që i lëshon një zyre e veçantë në Beograd (zyra koordinuese) Komisioni ka propozuar ndryshimin e vendimit për liberalizimin e vizave për Serbinë.

Serbët lokal të Kosovës nuk kanë përfituar me liberalizmin e vizave për Serbinë të vitit 2009 edhe në rastet kur kanë poseduar passaportë të Serbisë. Në atë kohë ishte vlerësuar se ekziston rreziku nga migrimi masiv, si dhe disa çështje të sigurisë.

Gjithashtu, në prill të këtij viti, KE-ja kishte theksuar se liberalizimi i vizave i miratuar për Kosovën vlen vetëm për poseduesit e pasaportave të Kosovës dhe jo për ata qytetarë që kanë pasaporta të Administratës Koordinuese, e cila punon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Më 16 nëntor Komisioni Evropian ka miratuar propozimin që të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor të mund të lëvizin pa viza në BE. Kjo propozohet edhe për bartësit e pasaportave që i lëshon Drejtoria koordinuese në Beograd. Tash vendimi është në duar të Këshillit dhe Parlamentit Evropian”, ka thënë zëdhënësi i Komisionit Evropian për çështje të brendshme dhe të drejtat e njeriut Kristijan Viegand.

Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën do të nisë të zbatohet nga 1 janari i vitit që vjen.

Ndërsa, vendimi që edhe bartësit e pasaportave të Serbisë me vendbanim në Kosovë të lëvizin pa viza, do të hyjë në fuqi 20 ditë pas botimit në gazetën zyrtare të BE-së.

Lajme të ngjashme