Prishtina, Juniku dhe Mamusha, ende pa rezultate finale
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar procesimin e rezultateve përfundimtare për 35 komuna të vendit nga zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Këtë e ka bërë të ditur kryeshefi i institucionit, Kreshnik Radoniqi, gjatë mbledhjes së sotme të KQZ-së.
Megjithatë, Prishtina, Juniku dhe Mamusha nuk janë përfshirë ende në këtë fazë finale, për shkak të disa parashtresave që po trajtohen nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Sipas Radoniqit, KQZ-ja është në komunikim të vazhdueshëm me PZAP-in dhe ka marrë konfirmimin se në pjesën tjetër të komunave nuk ka mbetur asnjë ankesë aktive që do të pengonte shpalljen e rezultateve. Për tri komunat ku çështjet janë ende të hapura, KQZ-ja do të presë përfundimin e ankesave edhe në shkallën e fundit, përfshirë Gjykatën Supreme.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka komunikuar me PZAP-në dhe nga ky institucion kemi marrë konfirmim se nuk ka ankesa aktive lidhur me zgjedhjet për kryetarë komunash për shumicën e komunave, përveç Komunës së Prishtinës, Junikut dhe Mamushës”.
“Këto ankesa janë në trajtim e sipër, andaj KQZ-ja sot do të bëjë shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve për 35 komunat e tjera, ndërsa për tri komunat e mbetura shpallja e rezultateve përfundimtare do të bëhet në vijim, pasi të konsumohen të gjitha mundësitë për paraqitjen e ankesave edhe në Gjykatën Supreme”, ka thënë Radoniqi.