Presioni ndaj qytetares që raportoi kushtet e rënda në Pediatri, Deli-Kodra i del në mbrojte: Ajo foli si nënë, zëri i saj duhet të dëgjohet
Deputetja e zgjedhur e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar pasi qytetarja që raportoi kushtet e tmerrshme në Pediatri iu nënshtrua një presionit nga QKUK-ja.
Ajo ka bërë me dije se qytetarja në fjalë ka folur si nënë.
Në profilin e saj në Facebook, Deliu-Kodra ka shkruar se zëri i saj duhet të dëgjohet.
“Aulona nuk foli si gazetare. Nuk foli si figurë publike. Foli si nënë. Si një nënë që e pa djalin e saj në spital dhe pati guximin të tregojë atë që përjetoi. Besoj se secili prind që ka kaluar qoftë edhe një natë në Klinikën e Pediatrisë e kupton shumë mirë ndjesinë e pafuqisë që të kap në ato momente. Prandaj më dhemb kur dëgjoj se Aulona po përballet me presion vetëm pse foli”, ka shkruar ajo, duke shtuar se zëri i një nëne duhet të dëgjohet.
“Një prind flet vetëm kur e ndien se diçka nuk është në rregull dhe kur shpreson që fëmija i dikujt tjetër të mos kalojë të njëjtën përvojë. Nëse ka diçka që duhet të na shqetësojë, nuk është fakti që një nënë foli. Është fakti që ka pasur arsye të flasë. Zëri i një nëne që kërkon kushte më të mira për fëmijën e saj nuk duhet të heshtet. Duhet të dëgjohet”, ka shkruar ajo.