Presidentja Osmani e “fik” ShBA-në me një grant, ia huq keq me 200-milionëshin
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ia ka huqur keq me një shifër goxha të madhe – 200 milionë. 200 milionë çka se? Sipas presidentes, euro. Sipas amerikanëve, dollarë. Dallimi është milionësh dhe vështirë se do të mbulohej lehtë.
“Granti prej mbi 200 milionë euro nga agjencia MCC e Qeverisë Amerikane do ta transformojë thellësisht sektorin tonë të energjisë” – shkroi me mëngjes zonja Osmani në llogarinë e saj në “Facebook”.
“Sot, në prag të fillimit zyrtar të Programit Kompakt, mirëprita z. Cameron Alford, Zëvendëspresident në MCC. Si investimi më i madh në fushën e energjisë, Programi Kompakt është dëshmi e fuqisë së partneritetit Kosovë-SHBA” – shtoi ajo, duke i bashkëngjitur postimit edhe një fotografi ku shihet duke i shtrënguar duart me amerikanin.
Megjithatë, sipas uebfaqes sëprogramit MCC, bëhet fjalë për miratimin e 202 milionë dollarëve, që tash për tash këmbehen me 188,26 milionë euro.
Kështu, presidentja ia “rrëmbeu” gati 12 milionë dollarë buxhetit të ShBA-së. Natyrisht, vetëm në “Facebook”.