Presidenca përdori ChatGPT për të shkruar komunikatë, Miftaraj ironizon: Përdoreni sa më shumë, përdorni gjithçka që ju të mos përdorni trurin
Presidenca e Kosovës ka publikuar sot një komunikatë për media lidhur me gradimin e tre kolonelëve të FSK-së në gradën Gjeneral Brigade nga u.d. Presidentja Albulena Haxhiu.
Në tekstin e komunikatës është lënë edhe një fjali që tregon se për përgatitjen e saj është përdorur inteligjenca artificiale.
Lidhur me këtë ka reaguar me ironi drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj.
Përmes një postimi, Miftaraj ka thënë se këto “gabime me ChatGPT” janë “gabime të këndshme, të padëmshme”, duke shtuar se përdorimi i inteligjencës artificiale mund t’i ndihmojë zyrtarët të bëjnë më pak gabime dhe të shkelin më pak ligjin.
“Këto gabimet me ChatGPT janë gabime të këndshme, të padëmshme.
Jo që duhet t’iu falen, por duhet t’iu kërkohet që të mos bëjnë asgjë pa ndihmën e ChatGPT.
Sa më shumë e përdorin ChatGPT, aq më pak bëjnë gabime, aq më pak e shkelin ligjin…”, ka shkruar Miftaraj.
Ai ka vazhduar me kritikat ndaj mënyrës së punës së pushtetit, duke thënë se, kur zyrtarët punojnë “vetë dhe me direktiva të partisë”, bëjnë gabime në ligj, procedura dhe dëmtojnë institucionet.
“Andaj përdoreni ChatGPT, përdoreni Gemini, përdorni gjithçka që ju të mos përdorni trurin”, ka përfunduar me ironi Miftaraj.