Policia e Prishtinës realizon 170 urdhëresa gjyqësore
Policia e Kosovës ka njoftuar për aktivitete e zyrtarëve policorë të rajonit të Prishtinës.
Përmes një njoftimi për media, policia ka treguar se vetëm gjatë javës së kaluar ka realizuar 170 urdhëresa të gjykatës.
Prej tyre, sipas policisë, 43 kanë qenë urdhëresa për vepra penale.
“Nga zyrtarët policorë të rajonit të Prishtinës, gjatë javës së kaluar në lokacione të ndryshme dhe në aksione të ndara, janë realizuar 170 urdhëresa të gjykatës, prej tyre 43 urdhëresa për vepra penale, ndërsa të tjerat për kundërvajtje, seanca, verifikime etj. Në përputhje me urdhëresat, pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa personat e dënuar me gjobë, janë liruar pasi të njëjtit kanë kryer obligimet e caktuara në urdhëresa”, është thënë në njoftimin e policië, duke dhënë detaje tjera.
“Aktivitetet policore janë shtrirë edhe në segmente të tjera të sigurisë. Kësisoj në harkun e njëjtë kohor janë sekuestruar 7 armë zjarri, të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe municione të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm. Ndërkaq janë mbajtur edhe aktivitetet policore në sferën e sigurisë në trafikun rrugor. Në po të njëjtën periudhë kohore, kanë rezultuar me shqiptimin e 3513 masave administrative me gjobë për lloje të ndryshme të kundërvajtjeve dhe shkeljeve të kodit rrugor, prej tyre 660 të evidentuara nga vetura inteligjente dhe vetura me radar mobil”, ka shkruar ai.