Përleshja mes Sekiraqëve dhe Capajve, Kajtazi: S'do të ndodhte nëse konflikti mes tyre do të hetohej më herët
Analisti politik Vehbi Kajtazi ka dhënë detaje të reja mbi ngjarjen tragjike që ndodhi të dielën, me pasojë një të vdekur dhe pesë të plagosur. Sipas Kajtazit, në mesin e të përfshirëve në ngjarje ishte edhe një djalë 13-vjeçar.
Ai shpjegoi se ky konflikt i ka rrënjët në një përleshje mes dy familjeve që ndodhi në muajin mars, vetëm 300 metra larg një stacioni policor në lagjen Muhaxhere.
Kajtazi theksoi se nëse autoritetet do të kishin hetuar përleshjen e mëparshme, dhuna e fundit mund të ishte parandaluar.
“Ky është një konflikt që ka nis në mars të këtij viti, kur ka pasur përplasje mes të rinjve të dy familjeve, dhe ngjarja aso kohe ka ndodhur 300 metra larg stacionit policor në lagje të “Muhaxherëve”. Por nëse atëherë do të hetohej si do të duhej, besoj se mbrëmë nuk do të ndodhte diçka e tillë. Deri tani se çfarë kemi mësuar, mbrëmë Salih Sekiraqa ka hapur një lokal të ri, ku dhe është sulmuar. Unë jam tronditur kur kam parë mbrëmë të përfshirë në këtë ngjarje fëmijë 13-vjeçar. Për mua është e tmerrshme”, tha Kajtazi në Rubikon të Klan Kosovës.