Pentagoni thotë se nuk mund të konfirmojë raportimet për raketat ruse në Poloni
Pas raportimeve të pakonfirmuara se një fshat në Poloni është goditur me raketa ruse, duke lënë të vrarë dy persona, zëdhënësi i Pentagonit, Patrick Ryderli ka thënë se ShBA është në dijeni të raportimeve për sulm, por nuk ka informacion për t’i vërtetuar ato.
“ShBA është në dijeni të raportimeve të shtypit që pretendojnë se dy raketa ruse kanë goditur një vendndodhje brenda Polonisë pranë kufirit me Ukrainën, por aktualisht nuk ka informacion për të vërtetuar këto raporte,” është shprehur ai, raporton CNN.
Pak më parë, u raportua se kryeministri i Polonisë ka thirrur një mbledhje urgjente sigurie pas dyshimeve se dy raketa ruse kanë rënë në Przewodow, një fshat polak 100 km larg qytetit ukrainas të Lviv.
Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, Rusia ka goditur vazhdimisht me raketa qytetet ukrainase, duke synuar infrastrukturën energjetike. Pas këtyre sulme ka pasur reagime edhe nga Moldavia, që ka thënë se sulmet ruse kanë ndikuar edhe në vend, duke shkaktuar “ndërprerje masive të energjisë elektrike”.
