Peci për ‘Guxo’ me dy kryetarë: Unë e Gërvalla e dimë që s’e kemi peshën politike si Vjosa Osmani
Bashkëkryetari i Listës Guxo, Faton Peci, njëherit ministër i Bujqësisë, ka folur në lidhje me praktikën që po ndjek ky subjekt politik, duke i vendosur dy kryetarë në krye, atë dhe Donika Gërvallën.
Ministri Peci në emisionin Rubikon ka deklaruar se ai dhe znj.Gërvalla janë të vetdijshëm se nuk e kanë peshën politike që e ka dhe e ka pasur presidentja Vjosa Osmani.
“Çështja është se ne jemi të vetdijshëm që nuk e kemi peshën politike që e ka dhe e ka pasë Vjosa Osmani. As Donika Gërvalla, as unë. Ajo është çështje e kohës, besimit, prezencës, mbi të gjitha edhe dhuntisë”, ka thënë ajo.
Tutje, z.Peci ka konfirmuar se sa i përket komunikimit me KQZ-së, ministrja Gërvalla ka propozuar që të gjitha dokumentet të nënshkruhen nga ai.
“Unë i numrova arsyet që janë numëru në bazën e një debati që nuk ka qenë i paktë. Sa i përket asaj që dikush duhet të ketë primatin, ne kemi të qartësuar këtë në prezantimin e dokumentaciooneve përpara KQZ-së, ne e dijmë që nuk mund të nënshkruajnë dy persona. Ne kemi dakordësi, ka qenë propozim i Donikës, që krejt çështjet në komunikim të KQZ-së me Guxo, firma që vendoset është firma ime”, tha ai.
Vlen të theksohet se listës Guxo para pak javësh iu largua një prej deputeteve më të zëshme, Donika Kica-Xhelili e cila kaloi në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Ndërkaq, deputeti Nasuf Bejta i është bashkuar grupit parlamentar të LVV-së, pas dorëheqjes së Vasfije Krasniqit.
