PDK dhe Aleanca para qeverisë, Gruda: Kushtetuta nuk është Statut i Vetëvendosjes, Kurti ka uzurpuar kryeministrinë
Përparim Gruda i Partisë Demokratike të Kosovës është adresuar për media pas paraqitjes së sërishme të PDK-së dhe Aleancës para dyerve të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Gruda tha se Kushtetuta e Kosovës është shkelur, dhe se Vetëvendosja po e trajton atë si Statut të partisë së tyre ndërsa ka uzurpuar “zyrën më të lartë ekzekutive.”
“Aleanca dhe një grup i studentëve na u bashkua sot kundër shkeljes së vazhdueshme të Kushtetutës që po ndodh tash e gati një muaj. Ne jemi këtu pranë Qeverisë ku deputeti Albin Kurti ka uzurpuar zyrën më të lartë ekzekutive në Kosovë, zyrën e Kryeministrit. Dhe në anën tjetër ka bllokuar formimin e organit më të lartë të shtetit. Kushtetuta e Kosovës nuk është Statuti i Vetëvendosjes, ajo nuk mund të interpretohet sipas disponimit të Vetëvendosjes. kushtetuta në thelb është koncept kundër-mazhoritar, që do të thotë, që sado e madhe ajo shumicë, ajo prap i nënshtrohet. Edhe po t’i ketë 120 deputetë, ajo duhet të zhvillojë politikën brenda asaj kushtetute. Kjo është postulati kryesor i çdo demokracie. Fatkeqësisht demokracia sot po cënohet dhe rendi kushtetues është përmbysur krejtësisht...300 mijë njerëz e kanë lëshuar Kosovës gjatë qeverisjes së Kurtit. Ky nuk është migrim, kjo është zhvendosje masive e njerëzve nga Kosova,” tha Gruda.