Pas Kushtetutës, Nagavci shkel edhe ligjin – sipas Këshillit të Pavarur të Shërbyesve Civil - NACIONALE

Pas Kushtetutës, Nagavci shkel edhe ligjin – sipas Këshillit të Pavarur të Shërbyesve Civil

2 javë më parë

nga NACIONALE

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, më 31 gusht, ka konstatuar se ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka shkelur ligjin kur i ka shqiptuar masë disiplinore drejtorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Arsimit, Defrim Gashit.

Krejt kjo lidhet me një masë disiplinore ‘vërejtje’ që Nagavci ia kishte shqiptuar drejtorit të Inspektoratit, Defrim Gashi, ish-kandidat i LDK-së për deputet në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Arsyetimi i ministres ishte se nuk janë marrë masat adekuate nga ana e Inspektoratit të Arsimit lidhur me administrimin e testit të arritshmërisë.

Megjithatë, ky i fundit nuk u pajtua me vendimin e ministres Nagavci, që e kishte marrë më 6 korrik.

Kësisoj, Gashi i pakënaqur i drejtohet KPMShCK-së, 20 ditë pas atij vendimi që do të cilësohej si i jashtëligjshëm nga ana e Nagavcit.

Sipas KPMShCK-së, Inspektorati i Arsimit nuk ka kompetencë të mbikëqyrë testin e arritshmërisë sepse nuk ka ndonjë akt specifik i cili përcakton kompetencat e IA-së në mbarëvajtjen e atij procesi.

Andaj, masa e shqiptuar nga Nagavci karshi Gashit është në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, duke pasur parasysh që sipas ligjit për Inspektoratin e Arsimit, thuhet qartë se komisionet nëpër qendrat e testimit caktohen nga Ministria e Arsimit.

Po ashtu, në vendimin e KPMShCK-së thuhet se në rastin konkret, ministrja Nagavci nuk ka arritur të konstatojë shkeljen e bërë nga Gashi dhe se masa disiplinore e shqiptuar ndaj tij është në kundërshtim me zyrtarët publik.

“Në të cekurat si më lartë, organi i punësimit, gjegjësisht Ministrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencë, Teknologjisë dhe Inovacionit si dhe Udhëheqësi i Njësisë së Burimeve Njerëzore janë të obliguar që pas pranimit të këtij vendimi, të ndërmarrë veprime juridike që masa disiplinore e shqiptuar ndaj ankuesit të largohet nga dosja personale e ankuesit në pajtim me këtë vendim”, vijon vendimi i KPMShCK-së, shkruan Paparaci.

KPMShCK-ja ka shfuqizuar masën disiplinore ndaj Gashit dhe e ka obliguar ministren Nagavci që ta zbatojë këtë vendim në përpikëri.

Lajme të ngjashme