Pas homazheve në Prekaz, Gucati: Nuk jemi të lirë, kemi probleme me institucionet e krerët e UÇK-së janë në Hagë
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka thënë në Ditën e Veteranit të UÇK-së se kjo kategori nuk ndihet ende e lirë.
Ai tha se kanë probleme me institucionet.
“Mu në këtë vend para 34 viteve, kanë qenë shkëndijat e para të lirisë dhe mund të them luftës së parë frontale të bacës Shaban me dy djemtë me Hamzën dhe Adem dhe rrethi i gjithë Jasharit u përballen me forcat çetnike parlamentare serbe që luftuan për ditën e sotme. Dhe ne sot si veteranë nuk e ndjejmë vetën aq të lirë për arsye se ende kemi problem me institucionet tona ku ligji për vlerat e luftë nuk është bërë ende”, ka thënë Gucati për mediat.
Kjo festë u konsiderua e mangët edhe mbi faktin se ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaci, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi po mbahen në paraburgim në Gjykatën Speciale në Hagë tash e më shumë se pesë vjet.
“Këtë festë që festojmë sot e kemi të mangët sepse njerëzit që e kanë udhëhequr luftën, paqen, janë në qendër të paraburgimit në Hage. Kjo festë është e mangët për ne, pa atë njerëz që luftuan për vendin tonë. Unë në emër tim dhe shokëve tonë, ua uroj Ditë e Veteranit familjeve të dëshmoreve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së”, ka deklaruar Gucati.