Pamje: Kryediplomati turk e merr ngryk ngrohtë Lavrovin në Brazil, arabi duket se e uron për diçka
Ministrat e jashtëm të vendeve të Grupit G20 u mblodhën të mërkurën në Rio de Janeiro të Brazilit. Atje mori pjesë edhe kryediplomati rus, Sergei Lavrov.
Në disa pamje para fillimit të diskutimeve për varfërinë, ndryshimet klimatike dhe tensionet e ngritura globale, me rastin e marrjes së presidencës së këtij grupi nga Brazili, Lavrovi shihet duke u përshëndetur ngrohtësisht me homologun nga Arabia Saudite, Faisal bin Farhan Al-Saud, i cili duket se ia thotë fjalën “urime” në gjuhën angleze, por nuk dihet për çka.
Menjëherë më pas, ministri i Putinit pritet me përshëndetje të ngrohtë nga ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan. Të dy diplomatët shihen duke buzëqeshur, për të mos thënë duke u zgërdhirë. Ata ia vendosin dorën në shpinë njëri-tjetrit.
Në një pjesë tjetër të sallës, më larg këtyre treve, shihen duke diskutuar sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, dhe sekretari i Jashtëm i Britanisë, David Cameron, bashkë me ministren e Jashtme të Japonisë, Yoko Kamikawa.
Gjatë luftës në Ukrainë, Turqia është munduar që të mbajë marrëdhënie të mira me të dyja palët. Edhe pse ka shprehur përkrahje për integritetin territorial të Ukrainës, Ankaraja nuk i është bashkuar Perëndimit për t’i vendosur sanksione Moskës.