Osmani: Po vazhdojmë të presim që BE-ja të marrë masa kundër Serbisë për sulmin në Bansjkë - NACIONALE

Osmani: Po vazhdojmë të presim që BE-ja të marrë masa kundër Serbisë për sulmin në Bansjkë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në një prononcim para mediave në prag të Samitit BE-Ballkan Perëndimor në Bruksel, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka adresuar një sërë thirrjesh ndaj liderëve të Bashkimit Evropian, duke kërkuar heqjen e masave të cilat ajo i quajti “të padrejta dhe joproporcionale” të marra kundër Kosovës.

Osmani më tej ka folur për sulmin terrorist në Bansjkë të Zveçanit ku ndër të tjera ka pohuar se Serbia ka organizuar dhe financuar sulmin kundër Republikës së Kosovës më 24 shtator të këtij viti.

Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të presë masat e BE-së kundër Serbisë për këtë sulm, duke i kërkuar Bashkimit Evropian të mbajë përgjegjës shtetin serb.

Ajo ka theksuar se drejtësia dhe përgjegjësia janë parime themelore për paqen dhe sigurinë në rajon, duke shtuar se paqja dhe siguria janë parakushte për rritjen, të ardhmen dhe zgjerimin e rajonit.

“Vij këtu me një sërë mesazhesh në përfaqësimin e popullit të Republikës së Kosovës. Para së gjithash për t'u bërë thirrje liderëve të BE-së që menjëherë të heqin masat e padrejta dhe joproporcionale ndaj Republikës së Kosovës, të cilat u ndërmorën për shkak të ngjarjes së majit.” - tha Osmani.

“Kosova ka qenë viktimë e një agresioni më 24 shtator të këtij viti, ku Serbia organizoi, financoi një sulm kundër Republikës së Kosovës.” - tha ajo.

“Ne ende po vazhdojmë të presim që BE-ja të marrë masa kundër Serbisë për këtë sulm, sepse ata duhet të mbahen përgjegjës. Përgjegjësia dhe drejtësia duhet të jenë parime të paqes dhe sigurisë në rajon. Paqja dhe siguria janë parakushte për rritje, të ardhme dhe për zgjerim.” - deklaroi Osmani.

Lajme të ngjashme