Osmani: Fëmijët e mi zgjohen çdo mëngjes duke parë fotografi lakuriq të shpërndara nga grupe të VV-së - NACIONALE

Osmani: Fëmijët e mi zgjohen çdo mëngjes duke parë fotografi lakuriq të shpërndara nga grupe të VV-së

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Kandidatja e LDK-së për Presidente, Vjosa Osmani-Sadriu, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për fushatë të organizuar shpifjesh dhe sulmesh personale ndaj saj.

Gjatë një interviste në KTV, Osmani deklaroi se fëmijët e saj përballen çdo ditë me përmbajtje fyese dhe degraduese që, sipas saj, shpërndahet nga grupe të lidhura me Vetëvendosjen.

“Çdo mëngjes fëmijët e mi zgjohen duke parë fotografi lakuriq, të cilat grupet e Vetëvendosjes i bëjnë kundër meje. A nuk është e turpshme kjo?”, tha ajo.

Osmani tha se që nga 6 marsi është bërë objekt i akuzave të vazhdueshme nga eksponentë të Vetëvendosjes, duke përfshirë edhe kryeministrin Albin Kurti. Ajo i bëri thirrje Kurtit që të dalë publikisht dhe të paraqesë prova për pretendimet e ngritura ndaj saj.

“Nga data 6 mars, Vetëvendosje, nëpërmjet eksponentëve politikë dhe duke filluar nga vetë zoti Kurti, ka akuzuar për skema. I kërkoj publikisht të dalë personalisht ai dhe jo t’u fshihet prapa deputetëve. Le të paraqesë një dëshmi të vetme për gjërat për të cilat partia e tij më ka akuzuar”, deklaroi Osmani.

Ajo shtoi se është e gatshme të përballet me çdo akuzë, duke i cilësuar pretendimet e bëra ndaj saj si “të turpshme”.

“Unë do të përballem me këto akuza të turpshme që VV m’i ka bërë për tërë jetën”, tha Osmani.

Lajme të ngjashme