OKB: Rusia ka kryer krime lufte në Ukrainë
Kombet e Bashkuara kanë thënë se hetuesit e saj kanë arritur në përfundimin se Rusia ka kryer krime lufte në Ukrainë, duke përfshirë bombardimet e zonave civile, ekzekutime të shumta, tortura dhe dhunë të tmerrshme seksuale.
OKB-ja e ka bërë një prioritet hetimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut në luftë dhe në maj organi më i lartë i saj për të drejtat e njeriut mandatoi një ekip ekspertësh për të filluar punën në vend.
E që atëherë, hetuesit e OKB-së, kanë rrezikuar jetën e tyre për të mbledhur prova të krimeve të kryera kundër civilëve, duke përfshirë në zonat ende të kërcënuara nga forcat armike ose në zonat me mina të vendosura.
Ky ekip, i përbërë prej tre ekspertësh të pavarur prezantoi të premten përditësimin e tyre të parë me gojë në këshillin e OKB-së për të drejtat e njeriut, pasi ai nisi hetimet fillestare duke parë zonat e rajoneve të Kievit, Chernihiv, Kharkiv dhe Sumy, duke shtuar se do të zgjeronte hetimet e tij.
Për të arritur në këtë përfundim, bëhet e ditur se ekipi i hetuesve ka vizituar 27 qytete dhe vendbanime, si dhe varre dhe qendra të paraburgimit dhe torturës; intervistoi më shumë se 150 viktima dhe dëshmitarë; dhe u takua me grupe avokuese dhe zyrtarë qeveritarë.
