OKB-ja thotë se gjashtë pjesëtarë të stafit iu vranë nga një sulm izraelit në Gaza - NACIONALE

OKB-ja thotë se gjashtë pjesëtarë të stafit iu vranë nga një sulm izraelit në Gaza

1 vit më parë

nga NACIONALE

Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë ka thënë se gjashtë punëtorë të saj janë vrarë nga një sulm ajror izraelit ndaj njërës prej shkollave që ajo i menaxhon në pjesën qendrore të Gazës.

UNRWA-ja tha se kjo ishte “shifra më e lartë e viktimave në mesin e stafit tonë në një incident të vetëm” që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit në tetor, raporton televizioni BBC.

Zyra për media e autoriteteve të udhëhequra nga Hamasi tha se 18 njerëz u vranë nga sulmi në shkollën “al-Jaouni” në kampin e refugjatëve “Nuseirat”, që po përdoret si strehimore nga mijëra palestinezë të zhvendosur.

Ushtria izraelite tha se kreu “një sulm preciz ndaj terroristëve” që po planifikonin sulme nga brendësia e shkollës, duke shtuar se kishte marrë masa për ta shmangur dëmtimin e civilëve.

Agjencia UNRWA tha se kjo ishte hera e pestë që shkolla ishte goditur në 11 muajt e fundit.

Në korrik, 16 persona ishin raportuar të vrarë nga një sulm për të cilin ushtria izraelite kishte thënë se kishte në shënjestër disa struktura në shkollën e përdorur nga luftëtarët e Hamasit.

Hamasi ka mohuar se i shfrytëzon shkollat dhe objektet e tjera civile për qëllime ushtarake.

Lajme të ngjashme