"Ofrojnë shifra shpesh fiktive", Selmanaj akuzon pushtetin për manipulim me statistika
Në një intervistë për "Info Magazinë" në Klan Kosova, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka ngritur shqetësimet e tij për mënyrën si qeveria aktuale po menaxhon zhvillimin ekonomik dhe punësimin në Kosovë.
Pas tre vitesh qeverisje, Selmanaj vlerëson se vendi po përballet me një largim masiv të të rinjve, një dukuri e cila, sipas tij, është një tragjedi për mbarë popullin. Ai thekson se, edhe pse qeveria ka pasur parulla themelore punësimin dhe drejtësinë, realiteti në Kosovë tregon një histori tjetër.
“Por, pas tri vitesh, ne flasim, po i marrim vetëm dy parullat themelore që VV-ja i ka pasur, punësim dhe drejtësi. Me punësim, fatkeqësisht kemi një eksod masiv të të rinjve që ikin nga Kosova dhe akoma vazhdojnë ta projektojnë jashtë Kosovës, dhe kjo është tragjedi për mbarë popullin.”- tha ai.
Selmanaj thekson se vendi po përballet me një problem të thellë besimi, ku secili i ri po e projekton të ardhmen jashtë Kosovës, treguesi i së cilës është mungesa e investimeve dhe mundësive për zhvillim ekonomik brenda vendit.
“Tani, këta me shifra, e kam parë që edhe me shifrat e Entit të Statistikave që dalin, këta i manipulojnë dhe ofrojnë shifra shpesh fiktive. Secili i ri në Kosovë po e projekton të ardhmen e vet jashtë vendit dhe kjo tregon që s’kemi ditur dhe s’kemi mundur ta ngjallim shpresën për të jetuar në Kosovë. Kjo qeveri më së paku ka folur dhe ka punuar për zhvillimin ekonomik të këtij vendi.” tha ndër të tjera Selmanaj.