Norvegjia bëhet shteti i nëntë që futet në ombrellën bërthamore të Francës
Udhëheqësit e Francës dhe Norvegjisë thanë të mërkurën se Osloja do të bëhet pjesë e një skeme parandaluese bërthamore që udhëhiqet nga Parisi me qëllim të fuqizimit të sigurisë në kontinent.
“Po ballafaqohemi me situatën më serioze të sigurisë që nga Lufta e Dytë Botërore” – tha kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Store, kur ai dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, njoftuan në Paris se vendet e tyre kishin nënshkruar një pakt të mbrojtjes, raporton “France24”.
“Në gjashtë muajt e fundit, ne kemi hyrë në marrëveshje të mbrojtjes me Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar dhe jam i kënaqur që kemi nënshkruar një marrëveshje gjithëpërfshirëse të mbrojtjes me Francën sot” – deklaroi Store.
Në mars, Macroni zbuloi një program sipas të cilit Franca, shteti i vetëm i Bashkimit Evropian që ka armë bërthamore, do ta përdorte arsenalin e vet bërthamor për ta fuqizuar sigurinë në Evropë.
“Norvegjia, partnere kyçe gjeografike dhe strategjike me të cilën ne tashmë kishim bashkëpunim domethënës në sigurimin e mbrojtjes së territorit të aleatëve kundër kërcënimeve të jashtme, do të përfaqësojë një vlerë të shtuar të fortë për këtë mbrojtje të përforcuar” – tha Macroni.
Para Norvegjisë, tetë shtetë të tjera ishin bërë pjesë e programit – Belgjika, Danimarka, Gjermania, Greqia, Holanda, Polonia, Suedia dhe Britania e Madhe, e cila gjithashtu ka armë bërthamore.