Njohësi i sigurisë flet për pasojat potenciale në rast se ShBA-ja duhet ta mbajë gjatë vëmendjen në Iran
Zhvillimet e fundit ushtarake mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit kanë ngritur shqetësime edhe për sigurinë e Ballkanit. Ish-inspektori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Burim Ramadani, tha për Klan Kosova se pasojat për Kosovën nga ky përshkallëzim i largët gjeopolitik janë shumëdimensionale. Ai paralajmëroi se rreziku më i madh nuk është një sulm i drejtpërdrejtë, por shfrytëzimi i situatës nga aktorë rajonalë keqdashës:
“Kosova nuk e ka vetëm rrezikun e një dimensioni, vetëm të reagimit të mundshëm, e që nuk e vlerësoj të rrezikut të lartë, nga Irani brenda Kosovës, por se edhe të aspekteve rajonale, edhe të një tendence të vazhdueshme të Serbisë që të shkaktojë ndonjë incident, me synim destabilizimin në Ballkan, kryesisht në Kosovë, sikurse edhe eventualisht ndonjë rast të njerëzve të janë si celula të fjetura të ndikuara prej regjimit iranian, të cilët mund të keqinformohen apo manipulohen për të shkaktuar ndonjë incident, sepse më shumë nuk mund të ndodh”.
Përtej provokimeve nga Beogradi, Ramadani ngriti një shqetësim jetik strategjik: devijimin e fokusit gjeopolitik perëndimor.
“Nëse vëmendja ndërkombëtare dhe mbi të gjitha amerikane do të tërhiqet për periudhë shumë të gjatë në Iran, unë nuk e pres që ShBA-të do të vendosin shumë shpejt trupa ushtarake brenda territorit të Iranit, por që nuk duhet të përjashtohet, sepse nuk duket që është luftë e kontrolluar. Nëse krejt fokusi dhe vëmendja do të merr muaj të tërë në atë rajon dhe nëse konsekuencat prej asaj lufte mund të jenë shumë më të mëdha, atëherë normalisht që vëmendja largohet prej rajoneve tjera dhe ky është shqetësimi që Kosova duhet ta ketë”.