Një person nga rajoni i prekur me Ebolë hipi “gabimisht”, aeroplani i nisur për në ShBA bën ulje në Kanada - NACIONALE

Një person nga rajoni i prekur me Ebolë hipi “gabimisht”, aeroplani i nisur për në ShBA bën ulje në Kanada

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Një aeroplan që ishte nisur nga Parisi dhe planifikohej që të aterronte në Detroit të Shteteve të Bashkuara, u detyrua që ta ndryshonte destinacionin për në Kanada, pasi një pasagjer nga Republika Demokratike e Kongos, shtet ku është përhapur Ebola, kishte hipur në të “gabimisht”, thanë zyrtarët.

Kufizimet për hyrje në ShBA me qëllim të luftimit të përhapjes së virusit vdekjeprurës nënkuptonin se pasagjeri nuk do të duhej të ndodhej në aeroplanin e kompanisë “Air France”, tha agjencia amerikane për dogana dhe kufi, CBP, raporton televizioni BBC.

Gati 140 njerëz besohet se kanë vdekur nga përhapja e Ebolës në pjesën qendrore të Afrikës, ndërsa janë identifikuar më shumë se 600 raste të infeksioneve.

Zyrtarët nuk saktësuan nëse pasagjeri ishte duke shfaqur simptoma të virusit ose kur ishte ai për herë të fundit në Republikën Demokratike të Kongos.

Ekuipazhi i aeroplanit i vendosi maskat, pasi kapiteni njoftoi për ndërrimin e destinacionit, i tha televizionit “CBS Neës” një pasagjer që ndodhej në këtë aeroplan.

Kompania “Air France” u konfirmoi mediave amerikane se “me kërkesë të autoriteteve amerikane, [fluturimi] u devijua për në Aeroportin e Montrealit, pasi një pasagjeri kongolez në aeroplan iu mohua hyrja në Shtetet e Bashkuara”.

Lajme të ngjashme