Një burrë ka marrë peng disa persona brenda një kafeneje në Holandë
Disa persona janë marrë peng në një kafene të popullarizuar në një qytezë lindore të Holandës, tha policia.
I dyshuari hyri në kafenenë “Petticoat” në Ede herët në mëngjes duke kërcënuar se do ta hidhte veten në erë, raportuan mediat lokale, përcjell televizioni BBC.
Banorët në rreth 150 shtëpi përreth zonës janë evakuuar dhe qendra e qytezës është mbyllur.
Sipas policisë, tash për tash nuk ka shenja për motiv terrorist.
“Një situatë me pengje që përfshin disa persona është duke u zhvilluar në një ndërtesë në qendër” të qytezës Ede, tha policia holandeze në rrjetin X.
Policia u kërkoi njerëzve që të qëndrojnë larg vendit të ngjarjes.