Nga restoranti më i shtrenjtë i Prishtinës, asistenti i Kurtit dhe zv.ministri tallen me pagat e gjyqtarëve e prokurorëve
Së paku 1 mijë euro më pak në muaj, do t’i marrin tash gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës. Vendimin e mori Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Albin Kurti, e duket se disa prej zyrtarëve të saj, kanë gjetur rastin edhe të tallen me krejt këtë situatë.
Arianit Beqiri, asistent i kryeministrit Albin Kurti dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, po tallen me uljen e pagave për gjyqtarët e prokurorët.
Në një fotografi të publikuar së fundi, e përmendin Ligjin për Paga, i cili prek mijëra punonjës të sektorit publik.
Në formë tallëse, nga një prej restoranteve më të shtrenjta në kryeqytet, Soma, Beqiri e Dobra janë fotografuar me një person tjetër.
Postimit të publikuar në Facebook, ata i kanë bashkëngjitur këtë përshkrim: Jemi t’u e lutë me e ndryshu Ligjin për Paga, por e ka ngri krytë.

Sa u ulën pagat?
Nacionale të mërkurën raportoi se gjyqtarëve e prokurorëve paga do t’u ulet për së paku 1 mijë euro në muaj.
Gazeta Nacionale ka marrë një rast krahasimi të një gjyqtari dhe të një prokurori për ta krahasuar deklarimin e pasurisë që ata e kanë bërë para rritjes së pagave nga Qeveria Haradinaj dhe sa janë paguar pas këtij vendimi.
Një gjyqtar i gjykatës në vitin 2017 paguhej në vlerën NETO 1 mijë e 30 euro. Kurse, pas rritjes së pagës nga Haradinaj, e cila i preku edhe gjyqtarët e prokurorët, gjyqtarët paguheshin NETO 2 mijë e 129 euro. Pra, që nga sot e tutje, gjyqtarët do të paguhen 1 mijë euro më pak se kur paguheshin në 4 vitet e kaluara.
Një lëvizje pak a shumë e ngjashme është edhe në sistemin prokurorial. Nacionale ka marrë si rast krahasimi një prokuror që është paguar në vitin 2017. Paga vjetore e tij ka qenë 15 mijë euro. E pas rritjes së pagave nga Haradinaj, ai është paguar 25 mijë euro. Pra, në një lëvizje të tillë, ulja do të jetë rreth 10 mijë euro më pak në vit për prokurorët e zakonshëm.
Në këtë rast, do të preken edhe pagat e kryetarëve të gjykatave, kryeprokurorëve dhe udhëheqësve tjerë të sistemit të drejtësisë.
Deri më tash, kryetari i Gjykatës Supreme paguhej 2 mijë e 950 euro, kurse gjykatësit e Supremes 2 mijë e 655 euro. Kryetari i Apelit deri më tash paguhej 2 mijë e 655 euro.
Kryeprokurori i Shtetit paguhej 2 mijë e 655 euro, kurse Kryeprokurori i Speciales 2 mijë e 802 euro. Pagë prej 2.389 eurosh merrnin edhe kryeprokurorët e prokurorive themelore, derisa prokurorët e këtyre prokurorive paguheshin 1.672 euro.

