Nënkryetari i Këshillit Grevist: Sindikata nuk i takon PAN-it dhe asnjë partie tjetër - NACIONALE

Nënkryetari i Këshillit Grevist: Sindikata nuk i takon PAN-it dhe asnjë partie tjetër

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Nënkryetari i Këshillit Grevist, Ali Gashi ka komentuar deklaratat e kryeministrit Kurti se sindikalistët janë pjesë e PAN-it. Sipas Gashit kjo është e papranueshme.

Ai thotë se tendenca për ti dhënë sindikatës epitete politike nuk është e duhur sepse "misioni i sindikatës është që t'i shërbejë punëtorëve"

Sa i përket grevave të përgjithshme për të cilat ende nuk është arritur ndonjë kompromis në mes të qeverisë dhe SBAShK-ut, ai ka thënë se qeveria ka përgjegjësi të kujdeset për mirëqenien ekonomike të qytetarëve, pasi situata e krizës ekonomike i ka rënduar jetën të gjithëve.

“Nuk besoj se ka sindikatë që me theks e promovon grevën, por kur injorohen kërkesat e sindikatës duhet të shfrytëzohen të gjitha mekanizmat”, ka deklaruar Gashi në Tv Dukagjini.

Gashi shtoi se po injorohen kërkesat e sindikalistëve duke thënë se Qeveria ka përgjegjësi të menaxhojë situatat kur ka kërkesa nga qytetarët e Kosovës.

Për deklaratat e kryeministrit për sindikalistët, se “janë pjesë e PAN-it”, Gashi ka thënë se misioni i tyre është të përfaqësojë punëtorët e jo parti të caktuara.

“Të njëjtit kur kemi qenë në greva atëherë na kanë përkrahur, kurse tash na quajnë sindikalistë të PAN-it”, tha Gashi.

Sipas tij, greva e sindikalistëve ka ardhur si nevojë ose mjet i fundit pas injorimit të kërkesave.

Lajme të ngjashme