"Ndërtojmë banesa në Turqi, shesim grurë në Kosovë" - Shteti bleu grurë super shtrenjtë për rezerva nga një kompani ndërtimi në Turqi
Rezervat e shtetit po mbushen me grurë të importuar. Qeveria e Kosovës i ka lejuar Minsitrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë që të shmangë të gjitha procedurat ligjore kur bëhet fjalë për grumbullimin e grurit, shkaku i luftës në Ukrainë.
Këtë liri, grupi i ministrisë së drejtuar nga Rozeta Hajdari, e ka përdorur për të blerë grurë me çmim gati dyfish më të shtrenjtë se çmimi aktual në treg, për çka raportoi Nacionale të mërkurën.
Por, përpos lirisë për të caktuar çmimin duke shmangur ofertat konkurruese, Ministria e ka shfrytëzuar edhe për të zgjedhur ofertuesit prej të cilëve e importon grurin.
Një faturë e siguruar nga Nacionale ku dokumentohet një nga blerjet e Ministrisë, vë në dyshim nëse rezervat e shtetit po mbushen me grurë cilësor. Për rezervat e shtetit, Ministria ka blerë grurë edhe nga një kompani ndërtimi në Turqi.