Mushkolaj: Po të ishin tinejxhere ironizimet mes Vjosës e Donikës do të dukeshin simpatike, por po shfaqen skandaloze
Analisti Imer Mushkolaj ka thënë se po të ishin në adoleshencë, ironizimet mes presidentes Vjosa Osmani dhe kryediplomates, Donika Gërvalla, do të ishin simpatike.
Megjithatë, duke qenë në krye të institucioneve, kjo sipas tij, është jodinjitoze dhe skandaloze.
“Po të ishin tinejxhere, këto ironizimet ndërmjet ish-shoqeve të ngushta Vjosës e Donikës do të dukeshin fort simpatike. Por, janë në krye të institucioneve të rëndësishme shtetërore dhe me këtë gjuhë dhe mënyrë komunikimi, shfaqen jodinjitoze e skandaloze.” – ka shkruar ai.
Ndryshe, Gërvalla dje “e përshëndeti” Osmanin me këngën “llafe-llafe”, derisa sot kjo ia ktheu:
“Nuk do të komentoja raportet, por kemi në dallime të qarta në qëndrimet me zonjën Gërvalla. Nuk është në interes të qytetarëve e as të Kosovës që ato mos të thuhen publikisht. Meqë doni me kangë të Dafinës me vazhdu, e ka një të re para 1 muaji: Me kast, me kast, mjeshtër i mashtrimeve, me kast, me kast përsëritës i gabimeve. Më falni është kënga e Gilit se idhnohet Gili.” - tha Osmani.