Muhaxheri për krizën në arsim: Qeveria ka pasur buxhet, por jo vullnet - NACIONALE

Muhaxheri për krizën në arsim: Qeveria ka pasur buxhet, por jo vullnet

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka folur rreth çështjes së krizës së arsimit në Kosovë.

Nënëkryetari i LDK-së thotë se Qeveria e Kosovës ka pasur buxhet për t’i plotësuar kërkesat e mësimdhënësve, por i ka munguar vullneti që ta gjejë një zgjidhje për ndërprerjen e grëvës në arsim.

Ai ka theksuar se nga këto gati katër javë të grevës në arsim, më të dëmtuarit mbesin nxënësit.

“Është një situatë e keqe në të cilën e ka sjellë vendin dhe arsimin Qeveria Kurti ku nxënësit tanë me i humbë afro katër javë mësimi”, tha kreu i Pejës në Klan Kosova.

Sipas tij, situata nuk ka qenë dashur të vie deri në këtë pikë.

“Nuk ka qenë e nevojshme të vihet deri këtu – një qeveri e përgjegjshme nuk e kishte lejuar këtë. Ka mundur që t’i kryejë bisedat edhe ta gjejë një zgjidhje shumë më të lehtë dhe më të mirë për qytetarët e Kosovës – së pari për interes të nxënësve dhe mandej për interesa të tjera. Kjo qeveri nuk është se nuk ka pasur buxhet, por nuk ka pasur vullnet të dialogojë dhe tash kjo po mundohet të shitet si një fitore e qeverisë ndaj SBAShK-ut, por në realitet humbësit janë nxënësit dhe sidomos prindërit që kanë qenë jashtëzakonisht të frustruar në këto katër javë”, shtoi Muhaxheri.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ballafaqimin ndërmjet qeverisë dhe SBAShK-ut e sheh si një luftë për të treguar forcën dhe arrogancën që e ka kjo qeveri.

“Sjellja e kryeministrit Kurti që mos me u ndalë në vend për të gjetur një zgjidhje, por të shkojë në Japoni, kjo e tregon arrogancën e kësaj qeverie karshi sindikatave”, tha Muhaxheri.

Lajme të ngjashme