MSH fton profesionistët shëndetësor nga mërgata për angazhim në institucionet shëndetësore në Kosovë
Ministria e Shëndetësisë (MSH), ka ftuar specialistët mjekësor nga mërgata dhe ata jashtë vendit, për angazhim dhe punë në institucionet publike në Kosovë.
Me anë të një njoftimi në Facebook të kësaj ministrie. thuhet se kjo ftesë është bërë drejtuar specialistëve të fushave mjekësore pjesëtarë të mërgatës shqiptare, atyre nga rajoni por dhe profesionistëve të huaj mjekësor.
“Bashkëpunimi profesional në institucionet tona ka ekzistuar dhe aktualisht është duke marrë ritëm të ri. Por, në mënyrë që ky bashkëpunim të thellohet e dinamizohet ju ftojmë të shprehni interesimin tuaj për të ndihmuar vendin dhe sektorin krah për krah me kolegët që me mundin e dijen e tyre sigurojnë shërbimet në të gjitha nivelet”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Nga kjo ministri thonë se të gjithë të interesuarit që kanë përvojë të konsiderueshme pune në lëmitë ku veprojnë dhe veçanërisht ata që kanë dhe përvojë akademike u lutemi të na drejtohen.
“Angazhimi i profesionistëve shëndetësor nga mërgata dhe jashtë vendit do të respektoj kushtet e Udhëzimit Administrativ (QRK) nr. 10/2022 për licencimin e profesionistëve shëndetësor të huaj dhe aktet e tjera ligjore në fuqi. Njoftimin tuaj për angazhim mund ta dërgoni adresën e-mail: Msh.Aplikimi@rks-gov.net”, përfundon njoftimi.