Ministrja Hajdari për aksidentin ku goditi një fëmijë: "Nuk ndihem fajtore" - NACIONALE

Ministrja Hajdari për aksidentin ku goditi një fëmijë: "Nuk ndihem fajtore"

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka dalë para Gjykatës në lidhje me aksidentin që ndodhi para disa javësh, kur kishte goditur me veturë një fëmijë.

Hajdari ka thënë se nuk ndihet fajtore për këtë rast, raporton "Betimi për Drejtësi".

“Derisa unë kam qenë me vëmendje të lartë në shpejtësi, për shkak se e vozis motrën me nevoja të veçanta, e cila është shumë e ndjeshme, dhe derisa kam qenë brenda rregullave të komunikacionit, përkundër keqardhjes, ndjeshmërisë për vajzën, nuk ndihem fajtore për këtë rast”, ka deklaruar ministrja Hajdari.

Ministrja Hajdari shtoi se i vjen keq për shqetësimin që vajza e ka përjetuar ashtu sikur edhe për veten e saj, pasi që tha se e kishte përjetuar shumë rëndë.

“Ishte një moment shumë i rëndë për mua, kam dalë nga vetura duke e lënë motrën time vetëm dhe duke vrapuar pas vajzës, e cila është kthyer në “Meridian” market, ku nga aty kishte dalë me vrapim”, tha ajo.

Ajo i kritikoi mediet, por edhe raportin e Policisë për këtë rast.

“Kërkoj ekspertizë, sepse interpretimi ka qenë i policisë pa vëmendjen e tyre dhe i dëmshëm pa asnjë matje, të cilët kanë kërkuar nga unë t’ju tregoj pikat e ndeshjes pa bërë asnjë matje ekspertize, unë në atë moment e shokuar nuk kam mundur t’u jap ekspertizë dhe ky është konkludimi i policëve tanë në mënyrë joprofesionale”, tha ministrja Hajdari.

Lajme të ngjashme