Ministri Peci arsyeton VV-në, sipas tij videoja u publikua pasi Kurti u krahasua me regjim diktatorial
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, njëherit kryetar i Listës Guxo ka arsyetuar partnerin qeverisës, Lëvizjen Vetëvendosje, pas videos së publikuar para dy ditësh, ku sulmoheshin thuajse të gjitha figurat politike që kanë qeverisur para Albin Kurtit, por edhe sindikalistët.
Peci në T7 ka arsyetuar VV-në, duke thënë se nuk mund të qëndrojnë indiferentë pasi lideri i tyre, në këtë rasti Kurti, u krahasua me regjim diktatorial.
“Videoja në kuptimin që VV-ja sado që nuk kam të drejtë të flasë në emër të tyre, megjithatë nuk munden me qëndru ata indiferent karshi një gjuhë në të cilën krahasohet lideri i tyre me një regjim totalitar, e regjim diktatorial që ka ushtru gjenocid në Kosovë e Bosnje”, tha ai.
Tutje, ministri konsideron se opozita po shpërfaq gjuhë të urrejtjes, megjithëse, nuk përmendi linçimet që eksponentët e VV-së ia bëjnë, thuajse, secilit person që ua kritikon shefin.
“Gjuha e tillë e urrejtjes që po e shpërfaqin disa akterë të opozitës, nuk munden thjesht që VV-ja me qëndru krejt indiferent”, tha ai.
