Buxhovi për fjalimin e Thaçit para nisjes për në Hagë: Ishte historik, përveç luftës dëshmoi se sakrifikohet për shtetin
Historiani Jusuf Buxhovi e ka cilësuar si historike deklaratën e ish-presidentit Hashim Thaçi para se të nisej për në Hagë.
“Po shkoj në Hagë për ta mbrojtur Kosovën. Drejtësia do ta mbrojë dhe unë i besoj drejtësisë”, kishte thënë ndër të tjera Thaçi në fjalën e dorëheqjes para nisjes për në Hagë. Këtë akt Buxhovi e ka cilësuar si historik.
Ai më tej tha se mesazhi i Thaçit përfaqësonte një akt të rëndësishëm shtetëror.
“Deklarata e Hashim Thaçit atë ditë kur është nisur për në Hagë, kur ka dhënë dorëheqje, ishte historike. Unë e konsideroj si historike, sepse ka thënë: ‘Po shkoj në Hagë për ta mbrojtur Kosovën. Drejtësia do ta mbrojë dhe unë i besoj drejtësisë’”, tha Buxhovi mbrëmë në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës.
Buxhovi gjithashtu theksoi se Thaçi ka dëshmuar me këtë se, përveç luftës, është i gatshëm edhe të sakrifikohet për vendin.
“Hashim Thaçi ka dhënë një dëshmi se lufton dhe, nëse ka nevojë, edhe sakrifikohet për shtetin e Kosovës”, deklaroi Buxhovi.