Ministri i Jashtëm i Turqisë Fidan u uron fat palëve, nisin bisedimet Ukrainë – Rusi
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, u uroi “fat të mirë” delegacioneve nga Rusia e Ukraina, përderisa bisedimet e para mes dy palëve ndërluftuese që nga viti 2022 filluan në Stamboll.
Në një fjalim në fillim të takimit, kryediplomati turk tha: “Ky takim e shënon kontaktin e parë të drejtpërdrejtë që nga marsi i vitit 2022. Ne duket ta shfrytëzomë këtë mundësi për të bërë progres në rrugën drejt paqes”, raporton televizioni CNN.
“Përderisa lufta po vazhdon të marrë jetë, zbatimi i menjëhershëm i një armëpushimi është bërë gjithnjë më jetik. Fazës së ardhshme do t’i jepet formë së bashku përmes zgjedhjeve që ne i bëjmë dhe hapave që i ndërmarrim” – shtoi ai.
Fidan i përshkroi negociatat e së premtes si “bisedime teknike” që do ta ndërtojnë themelin për një takim të mundshëm mes udhëheqësve të të dyja vendeve.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ishte i pari që kishte propozuar bisedime të tilla, por Kremlini më vonë tha se vetë ai nuk do të merrte pjesë.
Në takim nuk është as presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili ndodhet aktualisht në Shqipëri. Ai ka thënë se zyrtari i vetëm rus me të cilin do të takohej është Putini.