Memli Krasniqi në Skenderaj: E pakuptimtë që Qeveria të privojë Drenicën nga uji i pijes - NACIONALE

Memli Krasniqi në Skenderaj: E pakuptimtë që Qeveria të privojë Drenicën nga uji i pijes

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka vizituar sot Komunën e Skenderajt në kuadër të vizitave nëpër komunat e Kosovës.

Krasniqi pas takimit me kryetarin e Skenderajt Fadil Nura, së bashku me ekipin e komunës kanë vizituar nga afër disa prej projekteve që komuna po i kryen nga buxheti vetanak i komunës.

Me këtë rast, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi u shpreh i kënaqur që qeverisja e re në Skenderaj po realizon zotimet e bëra në fushatën zgjedhore para qytetarëve të kësaj komune, ndonëse qeveria e Kosovës po i bllokon projektet e komunave.

“Më gëzon fakti që këtu ka një vullnet dhe një entuziazëm, një përkushtim të madh në punë, por që nuk ka një mbështetje që do të duhej ta kishin nga niveli qendror, e që është e pakuptimtë dhe e paarsyeshme, sepse zgjedhjet kanë përfunduar. Sot kryetari Nura është kryetar i të gjithë qytetarëve të Skenderajt, pa dallime partiake, andaj është obligim i qeverisë që t’i trajtojë qytetarët pa dallime”, tha Krasniqi.

Kreu i opozitës kritikoi Qeverinë Kurti për neglizhencë të kërkesave të komunave që udhëhiqen nga partitë opozitare në nivel qendror.

“E vërteta është që shumicën dërrmuese të komunave në Kosovë, i udhëheqin partitë opozitare, por kjo s’duhet të jetë pengesë për qeverinë dhe për kryeministrin Kurti që t’i mbështesë këto komuna, derisa kemi raste ta zëmë që qeveria merr vendime për t’i obliguar kafiteritë që t’iu çojnë ujë nga çeshmja atyre që porosisin kafe, qytetarët e Drenicës, të Skenderajt në veçanti i penalizon duke ua pamundësuar shërbimin e ujit të pijes edhe për nevojat më bazike”, theksoi lideri i PDK-së.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura tha se qeveria aktuale e ka hequr komplet nga buxheti i këtij viti projektin kryesor që do të mundësonte furnizimin me ujë të pijes për qytetarët e kësaj komune.

Lajme të ngjashme