Me rroba të zeza, me syze dhe me shall mbi fytyrë, Policia arreston tre grabitës në Ferizaj - NACIONALE

Me rroba të zeza, me syze dhe me shall mbi fytyrë, Policia arreston tre grabitës në Ferizaj

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Tre persona janë arrestuar në fshatin Slivovë të Ferizajt, pasi dyshohen për grabitje.

Fillimisht ishte arrestuar i dyshuari i parë, pas raportimit për grabitjen në një lokal në këtë fshat.

“Me datë 19.04.2026, rreth orës 12:00, stacioni policor në Ferizaj ka pranuar një telefonatë nga një qytetar, i cili ka raportuar se në marketin e tij, në fshatin Slivovë të Ferizajt, kishte ndodhur një grabitje. Sipas ankuesit, një person mashkull, rreth 30 vjeç, i veshur me rroba të zeza, me syze dhe me shall të vendosur mbi fytyrë deri mbi hundë, kishte hyrë në lokal dhe nën kërcënimin e një arme të gjatë kishte marrë paratë nga arka, për t’u larguar më pas në këmbë në drejtim të varrezave të fshatit.”, thuhet në njoftim.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit dhe krimteknikët rajonalë. Rreth orës 12:50 është konfiskuar një armë e gjatë automatike e tipit AK-47, e cila dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës penale.”, thuhet tutje.

Gjithashtu, janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, të dyshuar për përfshirje në këtë rast: R.H. 38 vjeç dhe V.S. 28 vjeç.

“Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit për krime të rënda, i cili ka autorizuar hetuesit policorë për vazhdimin e hetimeve dhe intervistimin e të dyshuarve. Pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit, tre të dyshuarit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë.”, përfundon njoftimi.

Lajme të ngjashme