Mbyllet pa gola pjesa e parë: Kosova dominuese në fushë, por pa arritur të jetë efikase
Ka përfunduar 0:0 pjesa e parë në sfidën që po luhet në "Windsor Park" mes Irlandës Veriore dhe Kosovës.
Kosova e nisi mjaft mirë pjesën e parë kundër Irlandës Veriore. Ishin “dardanët” ata që u versulën menjëherë në sulm.
Rasti më i mirë erdhi vetëm pak minuta pas fillimit të ndeshjes. Zhvillohej minuta e 5-të kur Florent Muslija goditi bukur nga 20 metra. Portieri kundërshtar arriti ta devijojë topin me duar. Më pastaj ishte Rashica që u gjend në afërsi të zonës i vetëm, por nuk arriti të konkretizojë, pasi u pengua edhe nga mbrojtësi kundërshtar.
Kosova dominimin e diktoi edhe në minutat në vijim, ku pati disa raste tjera ku u shfaq e rrezikshme, si rrjedhojë edhe e pasigurisë së mbrojtjes vendëse. Ky mbizotërim në lojë nga Kosova zgjati për më shumë se një çerek lojë, por dështoi që të shënojë golin që do ta zhbllokonte rezultatin.
Në çerekun e dytë të pjesës së parë, respektivisht nga minuta e 15-të deri në minutën e 30-të, loja u koncentrua më shumë në mesfushë, me të dy skuadrat që përpiqeshin ta vendosnin diktatin në fushë.
Gjithsesi, në suaza të përgjithshme Kosova u tregua më e qartë në aksionet e veta sulmuese, edhe pse pa arritur që ta gjejë rrugën e rrjetës.

Irlanda Veriore të vetmen goditje serioze në drejtim të portës së Aro Muric e kishte në minutën e 37-të përmes Charles, por gardiani dardan u tregua syhapur, duke larguar rrezikun.
Kësisoj, edhe pjesëloja e parë mbaroi me rezultat 0:0. Përgjithësisht, Florent Muslija dhe Bersant Celina u dalluan me paraqitje shumë të mirë deri më tani. E njëjta nuk mund të thuhet për Rashicën që nuk ishte klinik në momentet kruciale.
Kujtojmë se me këtë rezultat Kosova do ta siguronte plasmanin e dytë në grup.