Mbi 850 zjarre aktive në natyrë në Kanada, paralajmërime për cilësinë e ajrit edhe në ShBA
Më shumë se 850 zjarre janë aktive në natyrë në mbarë Kanadanë, ndërsa paralajmërimet për dëmtimin e cilësisë së ajrit nga tymi tashmë janë aktivizuar edhe në disa shtete të ShBA-së.
Cilësia e ajrit në pjesë të mëdha të shteteve veriore të ShBA-së, Michigan dhe Minnesota, cilësohet si “e rrezikshme” nga Indeksi i Cilësisë së Ajrit dhe njerëzve u rekomandohet që të qëndrojnë brenda shtëpive, raporton televizioni BBC.
Shërbimi kombëtar i motit në ShBA tha të enjten se paralajmërimet për cilësinë e ajrit e përfshijnë edhe rajonin e Liqeneve të Mëdha e deri në verilindje të vendit.
Tani për tani në Kanada janë 857 zjarre aktive, përfshirë 23 zjarre të reja që filluan të enjten, sipas Qendrës për Zjarret në Pyje.
Sipas Sistemit të Informimit për Zjarre në Natyre, shumica dërrmuese e këtyre zjarreve janë jashtë kontrollit.
Grupi i madh i zjarreve që po i prekin zonat veriperëndimore të Ontarios janë shkaktare të tymit të dendur dhe cilësisë së dobët të ajrit në Thunder Bay dhe Toronto, ndërsa tymi me përqendrim më të ulët e më lart në atmosferë po qarkullon edhe mbi Liqenet e Mëdha dhe New York.