Mashtrim në prokurim publik: Prokuroria në Prizren ngre aktakuzë ndaj një personi dhe kompanie
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj U.D. dhe kompanisë “M.L.L.C.” për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri, në cilësinë e drejtorit të kompanisë, dyshohet se në gusht të vitit 2024 ka paraqitur dokumentacion të rremë gjatë një tenderi publik.
Bëhet fjalë për procedurën “Sigurimi fizik në objektet e shëndetësisë primare të Komunës së Prizrenit”, me vlerë 80,825.60 euro.
Aktakuza thekson se është dorëzuar “një faturë në vlerë prej 4,775.00 euro, me qëllim të mashtrimit dhe ndikimit në vendimin e autoritetit kontraktues”.
Pas verifikimit nga ATK-ja, dokumenti rezultoi i padeklaruar sipas legjislacionit tatimor në fuqi.
Prokurori ka kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, ndërsa për U.D. është propozuar edhe ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike.