Lushi pas fitores së Trumpit: Amerika do të jetë me shqiptarët dhe sidomos me Kosovën
Uk Lushi, ish-ushtar i Batalionit “Atlantiku” të UÇK-së, ka shkruar një status, në të cilin ka komentuar fitoren e Donald Trumpit në garën për president të ShBA-së.
Lushi ka vlerësuar se kushdo që të jetë në krye të ShBA-së, Amerika do të jetë me shqiptarët dhe sidomos me Kosovën.
Tutje, Lushi ka pasur kritika për kritikat nga ana e shqiptarëve kundrejt Trumpit dhe rrethit të tij, por pa përmendur emra se kë po e shënjestronte kritika e tij.
“Shqiptarët do të jenë me Amerikën, pavarësisht kënd e vendos populli amerikan në krye. Amerika do të jetë me shqiptarët dhe sidomos Kosovën, pavarësisht kush është në krye të Amerikës. Shumica e interesave shqiptaro-amerikane janë konvergjente.
Disa shqiptarë kanë bërë gabime dhe gafa bukur trashanike kundrejt fituesit Trump dhe disa njerëzve të tij. Po bëjnë hapin e parë të duhur duke lëpirë atë që kanë pështyer pa asnjë mençuri dhe si amatorë të vërtetë e pa pikën e nevojës” – ka shkruar Lushi, ndër të tjera.