Lirohet nga aktakuza ish-kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës
Është liruarar nga aktakuza ish-kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës.
Kështu ka raportuar "Betimi për Drejtësi". Në anën tjetër, me 1 vit e 5 muaj burg me kusht është dënuar ish-drejtoresha për Hetime Speciale, Valbona Osmani.
I njëjti dënim i është shqiptuar edhe Jetullah Aliut, ish-drejtor i Departamentit për Hetime në këtë institucion.
Sipas aktgjykimit gjegjës, dy të akuzuarit detyrohen po ashtu t’i paguajnë shpenzimet e procedurës dhe në emër të paushallit gjyqësor 50 euro, ndërsa në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimit shumën 30 euro.
Sipas aktakuzës së ndryshuar në qershor të 2019-s, Fitim Shishani, Jetullah Aliu dhe Valbona Osmani, akuzohen se më 19 korrik 2013, nga ora 14:00 e deri më 20 korrik 2013, në orën 02:50, fillimisht në Ferizaj e pastaj në Prishtinë, në cilësinë e personave zyrtarë pranë Inspektoratit Policor të Kosovës, me dashje, në marrëveshje dhe konsultim mes vete, duke keqpërdorur detyrën dhe shkelur autorizimet zyrtare, kanë privuar kundërligjshëm nga liria të dëmtuarin Q.V., hetues policor në IPK dhe njëkohësisht e kanë privuar të njëjtin nga e drejta e kontaktit me familjen përmes telefonit.
