Latifi: S’kemi helikopterë, por kjo s'na pengon që rojtarëve të shtetit t'ua "kallxojmë vendin" në emër të sovranitetit
Profesori i Filozofisë, si dhe njohës i zhvillimeve politike, Blerim Latifi, përmes një shkrimi theksoi faktin se siguria e vendit garantohet nga NATO, por herë pas here nuk e kemi problem që rojtarëve të shtetit t’ua “kallxojmë vendin”, në emer të dinjitetit dhe broçkullave pseudo-patriotike.
Ai e tha këtë duke e nisur shkrimin për tre helikopterë që kishte parë duke fluturuar mbi Kosovë, të cilët, natyrisht, janë të NATO-s, organizatës ushtarake kryesore që garanton sigurinë në vend, pasi Kosova ende nuk posedon helikopterë.
Ndërsa me ironi, Latifi ka thumbuar disa në Kosovë, duke thënë se nuk e kemi problem që "herë pas here rojtarëve të këtij shteti t’ua 'kallxojmë vendin' në emër të sovranitetit, dinjitetit dhe broçkullave të tjera pseudo-patriotike”.
Postimi i plotë:
Tre helikopterë fluturuan mbi katund. Vinin nga drejtimi i Pejës dhe dukej se po shkonin drejt Prishtinës. Fluturonin shumë ulët. Më pushtoi një ndjenjë habie. Kishte shumë kohë që nuk më kishte rastisur të shihja helikopterë në një fluturim të tillë.
Pas luftës, kjo ishte përditshmëri. Mbi 50 mijë trupa të NATO-s ishin në Kosovë dhe një pjesë e madhe e operacioneve të tyre kryheshin me helikopterë. Zhurma e tyre ishte pjesë e peizazhit të përditshëm. Me kalimin e viteve, prania ushtarake ndërkombëtare u zvogëlua dhe, bashkë me të, u rralluan edhe fluturimet në qiellin e Kosovës.
Sot Kosova është shtet. Por ka një veçori të pazakontë që e dallon nga pothuajse të gjitha shtetet e tjera të Europës: është një shtet pa helikopterë ushtarakë. Ka edhe një veçori tjetër: siguria e tij jepet gratis nga NATO.
Megjithatë, kjo nuk na pengon që, herë pas here, rojtarëve të këtij shteti t’ua “kallxojmë vendin” në emër të sovranitetit, dinjitetit dhe broçkullave tjera pseudo- patriotike. Krejt kjo merr formën e një paradoksi: sa më pak e vërejmë barrën që të tjerët mbajnë për sigurinë tonë, aq më lehtë e shpërfillim atë. Por paradokset kanë pasoja: në mendim ato ta rrëzojnë argumentin, e në praktikë ta thyejnë qafën.