Ky është zyrtari që cenoi sigurinë e studenteve vajza në konviktin numër 5
Gazeta Nacionale nga burimet e saj ka mësuar emrin e zyrtarit administrativ të Qendrës së Studentëve, i cili dje është suspenduar nga puna për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Burimi ka bërë me dije se zyrtari i suspendua është Hysni Gashi.
Gashi është suspenduar dje nga puna pasi ka cenuar sigurinë e studenteve vajza banuese në konviktin numër 5.
Në orët e vona të natës, ai kishte shqetësuar studentet vajza përmes vizitave të paarsyeshme dhe potencialisht tendencioze.

Veprimin e tij e ka dënuar Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës
“Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës me shqetësim të madh ka pranuar lajmin për keqpërdorimin e detyrës zyrtare të një zyrtari administrativ në Qendrën e Studentëve, i cili ka cenuar sigurinë e studenteve vajza banuese në konviktin numër 5. Ky i fundit, në orët e vona të natës, ka shqetësuar studentet vajza përmes vizitave të paarsyeshme dhe potencialisht tendencioze”, është thënë në reagim.
Sipas Parlamentit Studentor, këto veprime krijojnë pasiguri.
“Ne ndihemi jashtëzakonisht të indinjuar, pasi që një rast i tillë përveçse i pahijshëm është edhe i rrezikshëm dhe paraqet një vazhdimësi të asaj që nuk është një problem lokal por nacional. Situatat e tilla kaotike krijojnë pasiguri shoqërore, prandaj janë absolutisht të papranueshme. Ne dënojmë fuqishëm këtë akt dhe sot gjatë ditës kemi dërguar kërkesë për pezullimin e këtij zyrtari nga vendi i punës dhe zotohemi që do të kërkojmë përgjegjësi deri në fund, do të punojmë maksimalisht për rritjen e sigurisë dhe mirëqenies te të gjithë studentët e Universitetit të Prishtinës, e pse jo edhe më gjerë”, është thënë në reagim.