Kurti: Viti i ri evropian për Kosovën filloi sot
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka folur sërish pas aplikimit për anëtarësim në BE.
Në një intervistë të shkurtër dhënë Radio Televizionit të Kosovës, shefi i ekzekutivit deklaroi se viti i ri evropian për Kosovën filloi sot.
Përveç kësaj, ai shtoi se pa i rregulluar marrëdhëniet me fqinjët, nuk mund të ketë anëtarësim të suksesshëm.
"Viti i ri në kuptimin evropian për Kosovën fillon sot me 15 dhjetor kur dorëzuam aplikimin për antrësim në BE. Prej 27 shtete të Bashkimit Evropian, 6 janë themeluese, ndërsa 21 tjera kanë pasur intervale kohore të shteteve derisa u antarësuan por mesatarja është 9 vite, edhe ne synojmë që të kemi këtë mesatare duke e ditur që kemi shumë punë edhe në shtëpinë tonë edhe në fqinjësinë tonë, sepse pa i rregulluar marrëdhëniet me fqinjë nuk mund të ketë antarësim të suksesshëm. Kjo nuk vlen vetëm për Kosovën por vlen për 6 shtetet që ende ngelen të pa integruara".
Ai gjithashtu ka thënë se është optimist rreth faktit të integrimit të shpejtë të Kosovës në BE, për shkak të avancimit të sundimit të ligjit dy vitet e fundit.
