Kurti thotë se deputetët shpallën pavarësinë: Thaçi e nënshkroi dhe lexoi deklaratën
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka marrë shumë reagime për publikimin e videos në rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ku në video nuk është përfshirë momenti i shpalljes së pavarësisë dhe as leximi nga ana e ish-kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi.
Megjithatë, kryeministri Kurti në pritjen shtetërore të organizuar me rastin e përvjetorit të pavarësisë ka përmendur ish-kryeministrin Hashim Thaçi, duke thënë se e ka nënshkruar dhe lexuar deklaratën e pavarësisë.
Kurti ka thënë se deklarata ishte nënshkruar edhe krerët e institucioneve të asaj kohe, Fatmir Sejdiu, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi, duke specifikuar se Hashim Thaçi edhe e kishte lexuar deklaratën.
“Më 17 shkurt 2008 deputetët e Kuvendit të Kosovës si përfaqësues të popullit të zgjedhur në zgjedhje të lira dhe demokratike e shpallën Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Me votat dhe nënshkrimet e 109 vetave, që nënshkruan deklaratën e pavarësisë, dokumentit themeltar të shtetit tonë. Atë ditë mbi pergamenën e kuruar ku ishte shkruar deklarata e pavarësisë, krahas 109 deputetëve u nënshkruan edhe tre krerët e shtetit të sapo shpallur të pavarur, presidenti Fatmir Sejdiu, kryekuvendari Jakup Krasniqi dhe kryeministri Hashim Thaçi, i cili edhe e lexoi atë në Kuvend.” - ka thënë Kurti në pritjen solemne.