Kurti: Të akuzuarit për sulmin në Banjskë, më afër Vuçiqit se mbrojtja e afërt
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka komentuar faktin që të akuzuarit për sulmin në Banjskë, po përkujdesen për sigurinë e Aleksandar Vuçiq.
“Në Banjskë të Zveçanit, në fund të shtatorit e vranë rreshterin tonë policor, Afrim Bunjaku, dhe ne kërkojmë dorëzimin e kryekriminelit, kryeterroristit Millan Radoiçiq me 44 paramilitarë të tjerë të cilët morën pjesë në sulmin terrorist e kriminal të shtatorit të vitit 2023. Tash, të njëjtit janë më afër sesa mbrojtja e afërt e presidentit të Serbisë [Aleksandar Vuçiq]”, tha Kurti gjatë një deklarimi për gazetarë në Bardhosh të Prishtinës.
“Janë njerëz të cilët janë ushtruar në Serbi, i marrin urdhrat prej andej dhe kanë bërë agresion në Kosovë. Ata duhet t’i dorëzohen Kosovës. Kjo flet se ne kemi pasur gjithçka të drejtë dhe tregon gjithçka për regjimin e Beogradit, i cili në njërën anë vepron kësisoj për shkak se i mohon krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, e në anën tjetër vetëm sa e rrit bashkëpunimin me Kremlinin, me presidentin despotik, Vladimir Putin”, tha Kurti.