Kurti: Republika e Kosovës iu bashkua të gjitha sanksioneve të BE-së kundër Federatës Ruse
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar rreth Procesit të Berlinit në të cilën kryeministri mori pjesë.
Në kuadër të kërij Procesi, sot u jetësua Tregu i Përbashkët Rajonal ku kryeministri nënshkroi tri marrëveshje të mobilitetit; atë për lëvizjen e lirë me letërnjoftime; për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë; si dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve.
“Për arritjen e këtyre marrëveshjeve të rëndësishme, falënderova Kancelarin Scholz, për punën e bërë nga qeveria gjermane si dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për angazhimin. Kosova është partner dhe aktor proaktiv dhe konstruktiv. Andaj theksova se ne kërkojmë bashkëpunim të bazuar në respekt reciprok dhe barazi, e bashkëpunim që promovon rregullat dhe vlerat e BE-së, që mundëson përparimin dhe avancon demokracinë”, ka shkruar Kurti.
Kurti thotë se këto marrëveshje duhet të zbatohen dhe se pozita e vendit në këto procese rajonale duhet të përmisohet. Madje, sipas Kurtit, Kosova do të jetë nikoqire e këtyre proceseve.
Kryeministri tha se Kosova është rreshtuar krahas aleatëve perendimor dhe i është bashkuar sansioneve ndaj Rusisë.
“Republika e Kosovës iu bashkua të gjitha sanksioneve të BE-së kundër Federatës Ruse, sepse e kuptojmë se gazi i lirë i Rusisë është i kushtueshëm për sigurinë dhe paqen e Evropës, e më e rëndësishmja, për jetën e popullit ukrainas. Ne besojmë se asnjë vend demokratik nuk duhet të qëndrojë neutral përballë mizorisë dhe agresionit të Rusisë në Ukrainë”, shkroi Kurti.
Ai shtoi se qeveria po synon të mbronë qytetarët nga rritja e çmimeve të energjisë dhe po angazhohen të sigurojnë që të rrisin efiçiencën e energjisë për të ulur kërkesën për energji.
“Këtë vit kërkesa jonë për energji elektrike është ulur me mbi 6%. Ne synojmë ta mbajmë këtë trend duke subvencionuar familjet që kursejnë energji dhe blejnë pajisje efiçiente për ngrohje. Deri në fund të vitit, ne do të miratojmë Ligjin tonë të parë për Burimet e Ripërtritshme të Energjisë, do ta bëjmë më të lehtë për familjet dhe bizneset instalimin e paneleve diellore dhe do të hapim ankandin e parë për investitorët privatë”, tha Kurti, i cili falenderoj BE-në dhe Gjermaninë duke i konsideruar partnerë të palëkundur.
